OPINION/ Berisha, kolaterali politik më i madh i Edi Ramës. Voton Berishën në Tiranë e Elbasan, të futet Meta në Parlament

Nga Namir Lapardhaja

Elbasani dhe Tirana janë dy qarqet më tipike se çdo të thotë të votosh Saliun dhe në parlament të të futet Ilir Meta. Pavarësisht se një pjesë e demokratëve e kanë ngrënë turpin me bukë, i kanë futur edhe një LaCivita nga prapa, nuk ka turp më të madh për një që e quan veten të djathtë, të japë kontribut që në parlamentin e ardhshëm të futen njerëzit e djeshëm të LSI-së, të cilët, sigurisht përpara korrupsionit të Edi Ramës janë krejt amator, por PD në të kaluarën ka një eksperiencë të hidhur, e cila nuk duhet të përfundojë në fund te zgjedhja e së keqes më të vogël.

Mes dy të këqiave më të vogla, sado të votojnë Saliun, ai që fiton përherë është Edi Rama, ndaj ai ka shpikur së fundmi edhe bufin e florinjtë, i cili është mesazhi më i qartë se sa kohë në krye të PD do jetë Berisha, ai do jetë kolaterali më i madh i vazhdimësisë politike të Edi Ramës.

Jo më kot Rama ka bërë gjithçka për ta mbajtur në lojë, duke filluar me lejet e ndërtimit për kulla në mes të Tiranës e duke vijuar te vula dhe logo e PD-së. E ka bërë pikërisht për këtë ditë. Sa për thirrjet e Saliut se PD-ja është shtëpia juaj, në fakt, ajo s’ka qenë asnjëherë shtëpi e demokratëve. Ah, po! Ka qenë shtëpia e tarafit dhe sektit të ngushtë të Berishës, por jo e njerëzve të thejshtë, e të djathtëve të vërtetë, të persekutuarëve apo ish-pronarëve. Shihni listat që bëri për ta vërtetuar një gjë të tillë.

Nejse, shëndeti Doktorit, se fitorja “vjen”. Po s’erdhi në 2025, me siguri do vijë në 2029.