RRITET PRESIONI NDAJ UKRAINES/ Mediat: SHBA mund të bllokojë aksesin e Starlink, nëse Kievi nuk firmos marrëveshjen për mineralet

“Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të bllokojnë aksesin e Ukrainës në satelitët Starlink nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje me SHBA-në për shfrytëzimin e mineraleve të Ukrainës dhe tokave të rralla”. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta online ukrainase “Kyiv Independent” duke cituar raportimet e mediave ndërkombëtare.

Përfaqësuesit nga Uashingtoni dhe Kievi janë duke negociuar kushtet e një marrëveshjeje që mund të nënshkruhet që sot, ka mësuar Wall Street Journal.

Siç bën të ditur transmetuesi britanik “Sky News” nga një burim ukrainas, presidenti Volodymyr Zelensky nuk është gati të nënshkruajë marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara.

“Ka një sërë çështjesh problematike,” tha burimi. Zelensky “nuk është i gatshëm të pranojë” projekt-marrëveshjen “në formën e saj aktuale”.

Kievi kundërshton se draft teksti “nuk pasqyron një partneritet” me Shtetet e Bashkuara, por “përmban vetëm angazhime të njëanshme nga Ukraina”, tha burimi për Sky News.

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve dje se autoritetet e të dy vendeve ishin “shumë afër” një marrëveshjeje, e propozuar si kompensim për ndihmën ushtarake të dërguar nga Uashingtoni në Kiev gjatë luftës me Rusinë prej shkurtit 2022.

Qasja në internet nëpërmjet satelitëve Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX të Elon Musk, luajti një rol jetik në sigurimin e komunikimeve në terren gjatë konfliktit.

Ukraina raportoi se rreth 42,000 terminale Starlink janë në funksion në objektet ushtarake, si dhe spitale, biznese dhe më shumë.