“Super e Marta” në Bruksel – Shqipëria mbyll për herë të parë kapituj negociatash me BE-në

Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të shënojnë një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, pasi të martën e ardhshme do të zhvillohen konferenca ndërqeveritare me Bashkimi Evropian, ku të dy vendet do të mbyllin kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim.

Për Shqipërinë, kjo do të jetë hera e parë që mbyllen kapituj negociues. Konkretisht, vendi ynë pritet të përmbyllë kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullin 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, Mali i Zi do të mbyllë përkohësisht kapitullin 8 (Politika e Konkurrencës) dhe kapitullin 29 (Bashkimi Doganor), duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht nga gjithsej 33.

Në qarqet diplomatike të Brukselit, dita e martë është pagëzuar si “Super e Marta”, pasi gjatë saj do të zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare me vendet aspirante për anëtarësim. Përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi, konferenca do të mbahen edhe me Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat pritet të hapin nga një kapitull negociues.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si dy shtetet që kanë avancuar më shumë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina mbeten vende kandidate, ndërsa Kosova është ende i vetmi vend i rajonit që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

Fillimisht ishte planifikuar që të zhvilloheshin pesë konferenca ndërqeveritare, duke përfshirë edhe Serbinë. Megjithatë, shtetet anëtare të BE-së nuk arritën konsensus për hapjen e një kapitulli të ri negociues me Beogradin, për shkak të kundërshtimeve të disa vendeve anëtare.

Sa i përket Malit të Zi, ky shtet mbetet kandidati më i avancuar për anëtarësim në BE. Komisioni Evropian ka miratuar tashmë nisjen e përgatitjes së Marrëveshjes së Anëtarësimit, faza e fundit e negociatave, si dhe një kornizë financiare prej rreth 3.2 miliardë eurosh, bazuar në skenarin që Mali i Zi të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian në vitin 2028./ REL