Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas votimit të zhvilluar në Parlamentin Evropian, duke e cilësuar rezultatin si një mbështetje të qartë për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë nuk kurseu ironitë ndaj opozitës, duke theksuar se edhe eurodeputetë që më herët kishin mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverisë shqiptare votuan në favor të vendit.
Rama u shpreh se të gjithë eurodeputetët mbështetën Shqipërinë, duke lënë të kuptohet se mes tyre ishte edhe eurodeputeti Fredi Beleri, ndërsa, sipas tij, përfaqësuesit e Partisë Demokratike votuan kundër interesit të vendit.
“Pra, të gjithë europarlamentarët, edhe ndonjë aty që erdhi e protestoi në Shqipëri, votuan pro Shqipërisë së bashku me parlamentarët e Partisë Socialiste. Sepse Shqipëria nuk ndalet. Ndërsa parlamentarët e pakicës në Shqipëri votuan kundër dhe ikën për të dalë në fotoprotestë. Sepse Partia Socialiste nuk ndalet”, shkroi Rama.
Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur procesi i integrimit evropian vijon të mbetet në qendër të debatit politik në vend. Votimi në Parlamentin Evropian është interpretuar nga mazhoranca si një sinjal i fortë mbështetjeje për Shqipërinë dhe për përparimin e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, reagimi i Ramës ka rindezur përplasjet politike me opozitën, duke e kthyer votimin në Parlamentin Evropian në një tjetër pikë debati mes palëve për mënyrën se si përfaqësohen interesat e Shqipërisë në institucionet evropiane.










