Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur shqetësim për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke kërkuar që NATO t’i kushtojë vëmendje të veçantë procesit të armatosjes së Beogradit.
Gjatë ditës së dytë të Samitit të NATO-s, Milanoviq deklaroi se Serbia, vitet e fundit, ka investuar ndjeshëm në forcimin e ushtrisë së saj dhe se ky zhvillim nuk duhet të kalojë pa u vënë re nga Aleanca.
Me tone ironike, presidenti kroat tha se shpreson që Serbia “të mos blejë një aeroplanmbajtëse me rrota, pasi nuk ka dalje në det”, por shtoi se pyetja kryesore mbetet pse Beogradi po investon kaq shumë në armatim.
Sipas tij, Serbia nuk po investon vetëm në raketa hipersonike, por edhe në sisteme të tjera moderne ushtarake, çka, sipas Milanoviqit, e detyron edhe Kroacinë të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
“Kam folur me aleatët për atë që Serbia po bën në fushën e armatimit. Shpresoj të mos blejnë një aeroplanmbajtëse me rrota, pasi nuk kanë det. Por pyetja është: për çfarë u duhen të gjitha këto? Raketat hipersonike janë vetëm një pjesë e armatimit. Ka edhe shumë sisteme të tjera. Ne do të duhet të zhvillojmë aftësi të ngjashme dhe NATO duhet të jetë e vetëdijshme për këtë. Është detyra ime ta ngre këtë çështje”, u shpreh ai.
Presidenti kroat u ndal edhe te situata e përgjithshme e sigurisë në Evropë, duke vlerësuar se në Samitin e NATO-s po diskutohet shumë pak për diplomacinë dhe zgjidhjet politike të konflikteve.
Ai rikujtoi se Rusia disponon një arsenal të madh armësh bërthamore, por theksoi se nuk beson se Moska do të ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendeve evropiane.
“Duhet të kemi parasysh se Rusia ka një potencial të jashtëzakonshëm bërthamor. Megjithatë, nuk besoj se do të guxonte të sulmonte shtetet evropiane”, deklaroi Milanoviq.
Deklaratat e presidentit kroat vijnë në një kohë kur çështja e sigurisë në Ballkan dhe rritja e shpenzimeve ushtarake të vendeve të rajonit po monitorohen me kujdes nga aleatët e NATO-s, për shkak të tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike në Evropën Juglindore.









