Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në procesin e integrimit evropian, duke nisur përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë kombëtare. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, parashikon për herë të parë mënyrën e funksionimit të bankës qendrore pas anëtarësimit të vendit në zonën euro.
Në projektligj përcaktohet se “Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë do të jetë euro”, duke sanksionuar bazën ligjore për kalimin në monedhën e përbashkët evropiane kur të plotësohen kushtet për anëtarësim në Eurozonë.
Dokumenti parashikon se Banka e Shqipërisë do të ketë përgjegjësinë për të hedhur në qarkullim kartëmonedhat dhe monedhat euro, si edhe për tërheqjen e tyre nga qarkullimi, në përputhje me Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Projektligji përcakton gjithashtu se Banka e Shqipërisë do të vendosë dizajnin e monedhave metalike që do të emetohen nga vendi, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.
Sipas autoriteteve shqiptare, nisma synon përafrimin e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë me standardet dhe parimet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të integrimit dhe përgatitjeve për anëtarësimin e ardhshëm në Eurozonë.
Projektligji është publikuar për konsultim publik dhe nuk nënkupton se euro do të zëvendësojë menjëherë lekun. Kalimi në monedhën e përbashkët evropiane do të mund të realizohet vetëm pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të përmbushë kriteret e nevojshme për t’u bërë pjesë e Eurozonës









