Krijohet organizata globale për Inteligjencën Artificiale – 29 vende bëhen anëtare themeluese

Njëzet e nëntë shtete kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e Organizatës Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale, një organ ndërqeveritar që synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qeverisjen globale në fushën e inteligjencës artificiale.

Marrëveshja u firmos nga përfaqësues të 29 vendeve, të cilat do të jenë anëtaret themeluese të organizatës. Mes tyre janë Rusia, Bjellorusia, Serbia, Kuba, Brazili, Venezuela, si edhe 10 shtete afrikane dhe 12 vende aziatike.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, selia e organizatës do të vendoset në Shangai. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në këtë qytet, një ditë përpara hapjes së Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale.

Gjatë konferencës pritet që presidenti i Kinës, Xi Jinping, të paraqesë vizionin e Pekinit për forcimin e rolit të vendit në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor.

Ideja për krijimin e Organizatës Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale u prezantua nga Kina gjatë edicionit të kaluar të konferencës. Megjithatë, vetëm tani është formalizuar themelimi i saj, me nënshkrimin e marrëveshjes nga vendet anëtare themeluese.