Gjermania “i vë fre” skuterëve elektrikë -Ligj i ri pas shpërthimit të aksidenteve

Bundestagu gjerman ka miratuar rregulla të reja që rrisin përgjegjësinë ligjore të kompanive që ofrojnë skuterë elektrikë me qira, pas rritjes së ndjeshme të aksidenteve në rrugët e qyteteve.

Sipas ligjit të ri, kompanitë që zotërojnë flotat e skuterëve elektrikë do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara në rastet kur personi përgjegjës për aksidentin nuk identifikohet ose nuk mund të detyrohet ligjërisht të paguajë dëmshpërblim.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, deklaroi se kompanitë që përfitojnë ekonomikisht nga këto mjete duhet të marrin përsipër edhe përgjegjësinë për pasojat që ato shkaktojnë.

Ndryshimet ligjore prekin edhe rastet kur aksidentet lidhen me skuterë të parkuar në mënyrë problematike. Viktimat nuk do të kenë më nevojë të provojnë se një përdorues e ka braktisur mjetin në mënyrë të gabuar për të kërkuar kompensim.

Vendimi vjen pas rritjes së fortë të numrit të aksidenteve me skuterë elektrikë në Gjermani. Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë pothuajse dyfishuar, duke kaluar nga rreth 5 900 aksidente në vitin 2020 në afro 12 500 raste në vitin 2024.

Deri më tani, shumë persona të dëmtuar e kishin të vështirë të merrnin dëmshpërblim, pasi skuterët elektrikë nuk përfshiheshin në të njëjtin regjim përgjegjësie si automjetet motorike.

Ligji i ri synon të mbyllë këtë boshllëk ligjor dhe të garantojë më shumë mbrojtje për këmbësorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

Rregullat e reja do të zbatohen për mjetet vetëbalancuese, si skuterët elektrikë, ndërsa nuk përfshijnë mjete të tjera si kositëset me motor apo skuterët e përshtatur për personat me vështirësi në lëvizje.