Tensione të forta në Aeroportin e Vlorës/ Pacolli shpërthen ndaj policisë: “Duhet të marr armët e të vritem me ta?”

Situata në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është tensionuar sërish këtë të mërkurë, pasi hyrjet kryesore të zonës së punimeve vijojnë të mbeten të bllokuara, duke penguar vazhdimin normal të punës në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Sipas informacioneve nga terreni, punonjësve të kompanisë MABCO nuk u është lejuar hyrja në ambientet e terminalit dhe në zonat e tjera të aeroportit, ndërsa kamionë të kompanisë 2A Group vazhdojnë të qëndrojnë të pozicionuar në hyrjet e kantierit, duke bllokuar aksesin.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe Emin Pacolli, president i kompanisë MABCO dhe vëllai i biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Shtetit për zhbllokimin e situatës, duke shfaqur hapur pakënaqësinë ndaj mosveprimit të autoriteteve.

Pacolli iu drejtua efektivëve të policisë me tone të ashpra, duke kërkuar shpjegime për mosndërhyrjen e tyre për hapjen e rrugës dhe lejimin e vijimit të punimeve. Ai deklaroi se hyrjet po mbahen të bllokuara pa arsye dhe se kompania që ai përfaqëson po pengohet të kryejë aktivitetin e saj në kantier.

Forcat e policisë ndodhen në zonë, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për largimin e mjeteve që bllokojnë hyrjet. Burime pranë autoriteteve bëjnë me dije se policia është në pritje të udhëzimeve dhe procedurave nga institucionet kompetente përpara se të ndërhyjë.

Ndërkohë, tensioni mbetet i lartë në kantier, ndërsa punonjësit nuk kanë mundur të hyjnë në zonën e punimeve. Konflikti mes palëve vijon të mbajë të bllokuar një pjesë të aktivitetit në aeroport, duke ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e mëtejshme të projektit.

Autoritetet ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar për situatën, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me zgjidhjen e ngërçit që ka paralizuar hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës.