Skandal pronash në Vlorë/ Aksion i gjerë hetimor – Prokuroria “zbarkon” në Hipotekë dhe banesat e ish-zyrtarëve..

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor, duke urdhëruar kontrolle të befasishme në banesat e disa ish-zyrtarëve të Hipotekës së Vlorës, si edhe në ambientet e vetë institucionit, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit.

Sipas burimeve hetimore, aksioni është zhvilluar pasditen e së premtes dhe ka si objekt një dosje penale që lidhet me dyshime të forta për manipulim dokumentesh dhe kalim të paligjshëm pronash shtetërore dhe bujqësore në duar private.

Hetimet fokusohen kryesisht në sipërfaqe toke në zonat më të lakmuara të bregdetit të Vlorës, ku dyshohet se përmes dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave të dyshimta administrative, janë tjetërsuar prona të përfituara më parë nga banorë vendas sipas ligjit 7501, duke i nxjerrë ata jashtë posedimit të tyre ligjor.

Sipas të dhënave paraprake, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe individë të lidhur me interesat e biznesit dhe persona me ndikim lokal, të cilët kanë bashkëpunuar për regjistrimin e pronave në mënyrë të parregullt në institucionet përkatëse.

Denoncimi fillestar është bërë nga një grup banorësh të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit, të cilët i janë drejtuar fillimisht Prokurorisë së Vlorës dhe më pas edhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke ngritur akuza për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Pas verifikimeve të zgjatura, organi i akuzës ka kaluar në fazën e kontrolleve të drejtpërdrejta, duke ushtruar veprime në disa banesa ish-zyrtarësh dhe në zyrat e Hipotekës së Vlorës, me qëllim sekuestrimin e dokumenteve dhe provave të mundshme që lidhen me hetimin.

Derisa hetimet vijojnë, ende nuk ka informacion zyrtar nëse gjatë kontrolleve janë gjetur materiale apo prova konkrete që forcojnë akuzat, ndërsa autoritetet thonë se çështja mbetet në fazë dinamike dhe pritet të zgjerohet më tej.