“Nuk do të ndalemi!” Protesta hyn në ditën e 25-të, qytetarët paralajmërojnë bllokimin e institucioneve

Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e saj të 25-të radhazi. Pavarësisht kushteve jo të favorshme atmosferike dhe reshjeve të shiut, dhjetëra qytetarë u mblodhën sërish në Sheshin “Skënderbej”, për të vazhduar aksionin e tyre kundër qeverisë.

Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre kryesore. Në qendër të thirrjeve mbeti dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë aktuale.

Gjatë fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, pjesëmarrësit kërkuan krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat jo më të shkurtër se 12 muaj, e cila sipas tyre duhet të garantojë përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.

Protestuesit paralajmëruan gjithashtu se lëvizja do të hyjë në një fazë të re përshkallëzimi nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Sipas tyre, hapi i ardhshëm mund të jetë bllokimi i institucioneve shtetërore, si formë presioni ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Organizatorët deklaruan se protesta nuk do të ndalet dhe se mobilizimi po zgjerohet çdo ditë. Ata njoftuan se më 4 korrik pritet t’i bashkohet aksionit edhe diaspora shqiptare, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për forcimin e lëvizjes qytetare.

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke e kthyer këtë itinerar në një ritual të përditshëm që prej nisjes së protestës. Ndërsa aksioni hyn në javën e katërt, organizatorët këmbëngulin se do të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.