Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me atë që e cilëson si përpjekje për instrumentalizimin politik të simboleve dhe emrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestës që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, kryetari i organizatës, Hysni Gucati, theksoi se është e papranueshme që individë apo grupe të caktuara të flasin në emër të UÇK-së për qëllime politike, ndërkohë që, sipas tij, në të kaluarën kanë tentuar të zbehin ose të relativizojnë vlerat e luftës çlirimtare.
Gucati nënvizoi se kauza e UÇK-së nuk duhet të përdoret si instrument për interesa partiake apo agjenda të përkohshme politike, duke theksuar se trashëgimia e saj i përket gjithë shqiptarëve dhe sakrificës për liri.
Në reagimin e saj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të ruajnë integritetin e tubimit dhe të mos lejojnë, sipas tyre, keqpërdorimin e simboleve të luftës apo vetëshpalljen e individëve si përfaqësues të veteranëve pa legjitimitet.
Sipas Gucatit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një simbol i lirisë dhe sakrificës kombëtare, ndaj çdo referencë ndaj saj duhet të bëhet me përgjegjësi dhe respekt, larg përfitimeve politike të momentit.









