Ikballe Huduti Berisha ka reaguar pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur person të padëshiruar në Shqipëri, duke hedhur poshtë akuzat se ajo përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe duke e lidhur vendimin me pjesëmarrjen e saj në protestat në Tiranë.
Në një intervistë televizive, Huduti deklaroi se ajo ka qenë pjesëmarrëse në tubime paqësore dhe madje ka ndihmuar protestuesit me shpërndarje uji, duke mohuar çdo lidhje me pretendimet për kontakte të dyshuara me Iranin.
Ajo ka kërkuar gjithashtu mbrojtje institucionale nga autoritetet në Kosovë, duke pretenduar se ka marrë kërcënime në rrjetet sociale pas zhvillimeve të fundit.
Në vijim të deklaratave të saj, Huduti ka reaguar ashpër edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai duhet të përballet me drejtësinë dhe duke përmendur edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në proces gjyqësor në Hagë.
Deklarata e saj ka shkaktuar reagime në opinion publik, ndërsa përfaqësues të mazhorancës kanë sqaruar se vendimi për shpalljen “non grata” nuk lidhet me protestat, por me vlerësime institucionale të sigurisë kombëtare dhe prova që, sipas tyre, do të bëhen publike në vijim.
Ikballe Huduti Berisha: Një grup grash që më kanë ndihmuar nga vetura ime deri në shesh, nja 50 paketime me ujë, kam shpërndarë ujë për protestuesit. Tradita jonë e kërkon, do shpërndaj ujë dhe kam shkuar, madje nuk kam dashur të marr fjalën, por kam dashur t’i them Edi Ramës: unë nuk jam iraniane, as nuk jam agjente, por unë jam shqiptare.
Por ai e ka pyetur veten sa shqiptar dhe çfarë të këqija po i bën popullit tënd. Më mirë të pendohet, ose të largohet ose të shkojë te Hashim Thaçi, ku e ka vendin. Le të punojë drejtësia, unë e kam dhënë votën Hashim Thaçit dhe uroj që të dalë, se e di çka është burgu. Rama le të shkojë aty dhe aty të gjykohet. Drejtësi në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka.
Unë kam hyrë në paraburgim me dyshim për kryerjen e veprave terroriste. Pas 2 viteve gjykim unë kam dalë e pafajshme dhe këtë muaj më është caktuar edhe shuma sa e kam dëmshpërblimin, të cilin nuk e kam pranuar, se është i vogël për mua. Agjenda e Iranit? Gazetarë, shkoni në Gjykatën e Kosovës, te prokurori Afrim Feshkiu. Më ka futur në skaner që kur kam lindur dhe unë jam e pastër. Unë jam e pastër, nuk kam asnjë lidhje me Iranin.
Aulona Bylykbashi: Ajo që doja të thoja, ne duhet të jemi koshientë që prej tashmë 26 ditësh në Shqipëri janë duke u zhvilluar protesta në qendër të Tiranës. Një protestë paqësore, por nga ana tjetër tregon një nivel të lartë të demokracisë në vend.
Askush në këtë protestë nuk është cenuar, njerëzit kanë shkuar të qetë në shtëpitë e tyre, dhe rasti në fjalë nuk ka të bëjë me protestën. Vendimi ka ardhur nga institucionet e shtetit shqiptar dhe e gjithë vendimmarrja e këtyre institucioneve bazohet në fakte dhe në prova, të cilat deri më tani ata i disponojnë, por ende janë të pabëra publike. Vendosja non grata nuk ka të bëjë thjesht me një pjesëmarrëse në protestë, por me cenimin e sigurisë në vend.









