Europa në “furrënaltë”/ Vala e të nxehtit shkakton mbi 1,300 viktima – OBSH ngre alarmin për krizë klimatike

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për situatën ekstreme të krijuar nga vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën, duke bërë me dije se që nga data 21 qershor, mbi 1,300 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave përvëluese.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se kriza aktuale është një nga më seriozet e viteve të fundit, ndërsa rreth 150 milionë njerëz në kontinent po përballen me temperatura ekstreme që po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre. Sipas tij, situata po rëndohet nga dita në ditë, me qindra viktima të tjera të raportuara, mbyllje shkollash dhe mbingarkesë të rrjeteve energjetike.

Parashikimet tregojnë se rreth 191 milionë qytetarë në Europë do të përjetojnë temperatura mbi 35°C gjatë javës së ardhshme, ndërsa në disa zona termometri ka kaluar edhe 40°C. Në Francë raportohen rreth 1,000 viktima të lidhura me vapën ekstreme, ndërsa në Republikën Çeke është regjistruar një rekord historik me 41.1°C. Në Gjermani, në rajonin e Brandenburgut, temperaturat kanë arritur deri në 41.7°C, duke shënuar vlera rekord për vendin.

Situata është reflektuar edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Në Berlin, policia ka përdorur topa uji për të freskuar turmat në rrugë, ndërsa autoritetet kanë kufizuar shërbimet e transportit publik, përfshirë trenat dhe tramvajet, për shkak të temperaturave ekstreme që po dëmtojnë infrastrukturën.

Në Itali, gjatë një aktiviteti publik në Romë, Papa Leo ka falënderuar besimtarët që morën pjesë në meshën e së dielës pavarësisht kushteve të rënda atmosferike. Ndërkohë, në Francë, vala e të nxehtit ka nisur të shfaqë shenja lehtësimi, me alarmet e kuqe të kufizuara vetëm në disa rajone lindore të vendit.

Autoritetet europiane paralajmërojnë se temperaturat mund të rriten sërish në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për shëndetin publik, zjarre masive dhe ndërprerje të shërbimeve jetike, ndërsa ekspertët e klimës e cilësojnë situatën si një sinjal alarmi për pasojat e ndryshimeve klimatike në kontinent.