Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas dorëheqjes së Kryeministrit britanik Keir Starmer, duke deklaruar se rënia e tij politike erdhi si pasojë e politikave të gabuara në fushën e imigracionit, energjisë dhe sigurisë publike.
Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump e cilësoi Starmerin si një person me të cilin kishte pasur marrëdhënie miqësore, por nuk kurseu kritikat ndaj mënyrës se si ai drejtoi qeverinë britanike.
“Ai ishte në një farë mënyre mik i imi, por bëri gabime serioze. Kishte tre probleme të mëdha: energjinë, imigracionin dhe krimin. Në fund, e qëlloi vetë veten në këmbë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu qëndrimin e Starmerit në raport me NATO-n dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Sipas Trumpit, kryeministri britanik nuk ishte mjaftueshëm bashkëpunues me aleatët në kuadër të Aleancës Atlantike dhe nuk mbështeti operacionin ushtarak amerikan kundër Iranit, një vendim që sipas tij krijoi përçarje mes Londrës dhe Uashingtonit.
Trump përsëriti edhe kundërshtimin e tij ndaj zhvillimit të energjisë së erës në Britaninë e Madhe, duke argumentuar se politikat energjetike të qeverisë së Starmerit kanë dëmtuar ekonominë dhe sigurinë energjetike të vendit. Po ashtu, ai theksoi se Britania duhet të ndjekë shembullin e administratës së tij në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.
Dorëheqja e Keir Starmerit u bë zyrtare pasi ai zhvilloi një takim me Mbretin Çarlsi III, të cilin e informoi për vendimin e tij për t’u larguar nga drejtimi i qeverisë. Më pas, Starmeri e njoftoi publikisht dorëheqjen përmes një deklarate të shkurtër para rezidencës së kryeministrit në Downing Street 10.
Largimi i tij vjen pas muajsh të tërë presioni politik dhe rënieje të mbështetjes publike, ndërsa Partia Laburiste tashmë përballet me sfidën e zgjedhjes së një lideri të ri. Mediat britanike raportojnë se një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e partisë dhe të qeverisë është Endi Bërnham, i cili konsiderohet favorit për të pasuar Starmerin në javët e ardhshme.
Deklaratat e Trumpit pritet të ndezin më tej debatin politik në Britani, në një moment kur vendi po përballet me sfida të shumta ekonomike, sociale dhe gjeopolitike.









