Diaspora kosovare voton sot në 30 misione diplomatike – Nis procesi zgjedhor për Kuvendin e ri

Sot ka nisur procesi i votimit të diasporës së Republikës së Kosovës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin, një ditë para hapjes së kutive të votimit brenda vendit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme të botës. Procesi ka filluar fillimisht në Turqi, në ambasadën në Ankara dhe konsullatën në Stamboll, për t’u shtrirë më pas në vendet kryesore ku jeton diaspora kosovare në Evropë dhe më gjerë.

Në listën e shteteve ku po votohet përfshihen Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Franca, Austria dhe vende të tjera evropiane me numër të lartë shtetasish të Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike e kanë 27.724 qytetarë të regjistruar paraprakisht, të cilët kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në ambasada dhe konsullata.

Paralelisht, po përmbyllet edhe votimi me postë për mbi 104 mijë qytetarë të tjerë të regjistruar jashtë vendit. Pas mbylljes së procesit, të gjitha fletëvotimet do të transportohen në Kosovë, ku do të bëhet numërimi i tyre.

Procesi zgjedhor kulmon më 7 qershor, kur qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.