Zbulohet trupa gjykuese – ja kush do gjykojë Veliajn

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është hedhur shorti elektronik për përcaktimin e trupës gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 17 të pandehurve të tjerë.

Sipas procedurës së ndjekur, trupa gjykuese do të drejtohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri në cilësinë e kryesueses, ndërsa anëtarë të saj janë Flora Hajredini dhe Besmir Stroka.

Rihapja e shortit u bë e nevojshme pasi trupa e mëparshme pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për disa prej të pandehurve. Në këto kushte, për pjesën e mbetur të çështjes, ligji kërkon caktimin e një trupe të re gjykuese.

Erion Veliaj përballet me akuza të rënda, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Ai ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa procesi ndaj tij pritet të jetë një nga më të ndjekurit në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Përcaktimi i trupës gjykuese shënon një hap të rëndësishëm në vijimin e procesit, i cili pritet të ketë zhvillime të rëndësishme në javët dhe muajt në vijim.