Donald Trump ka publikuar në rrjetin social Truth Social një seri imazhesh të gjeneruara me inteligjencë artificiale, që interpretohen si një paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Iranit.

Në fotot e postuara shfaqen anije iraniane të përfshira nga flakët dhe shpërthimet, ndërsa në një prej imazheve Trump shihet me dylbi duke vëzhguar skena lufte në det. Mesazhi që shoqëronte postimin ishte: “Kjo është ajo që e pret Iranin nëse nuk pranon marrëveshjen”.
Deklaratat vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin përgjigjen zyrtare të Teheranit ndaj draftit amerikan për paqe dhe armëpushim.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Axios, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe emisari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff zhvilluan një takim në Miami me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Katari po luan rol kyç ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa palët diskutojnë një memorandum paraprak që synon ndalimin e përplasjeve dhe krijimin e bazës për një marrëveshje më të gjerë politike dhe ushtarake.









