Fisnik Asllani po kalon një sezon mbresëlënës me Hoffenheim, duke u shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës ka realizuar 11 gola dhe ka dhënë 9 asiste, shifra që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha europiane.
Sipas raportimeve, interes konkret për 23-vjeçarin ka shfaqur Borussia Dortmund, e cila e ka përfshirë në listën e objektivave për merkaton e verës. Në këtë listë përforcimesh bëjnë pjesë edhe Nicolo Tresoldi dhe Gonzalo Garcia.
Ndërkohë, TSG Hoffenheim vazhdon të tregojë besim ndaj futbollistëve të Kosovës, pasi pjesë e ekipit janë edhe Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu. Skuadra gjermane renditet aktualisht në vendin e pestë, me pikë të barabarta me VfB Stuttgart, duke mbetur në garë të fortë për një vend në zonën e UEFA Champions League.
Vlera e Asllanit në treg, sipas Transfermarkt, arrin rreth 30 milionë euro, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen e tij vijojnë të rriten.









