Ervin Salianji ka ashpërsuar qëndrimin ndaj drejtimit aktual të Partia Demokratike, duke deklaruar se Sali Berisha nuk mund ta rikthejë më demokratët në pushtet.
Gjatë një takimi me mbështetësit demokratë në Peshkopi, Salianji u shpreh se PD-ja ka nevojë për ndryshim të thellë të lidershipit dhe të mënyrës së funksionimit, duke theksuar se shqiptarët nuk mbështesin më drejtimin aktual të partisë.
“Kjo parti nuk mund të vazhdojë më kështu. Nuk mund të pretendojmë ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë veten”, deklaroi ai gjatë fjalës së mbajtur para demokratëve.
Salianji tha se Berisha nuk mund ta sjellë Partinë Demokratike në pushtet “as sot, as nesër dhe as kurrë”, ndërsa shtoi se çdo ditë që ai qëndron në krye të partisë përbën, sipas tij, humbje jo vetëm për demokratët, por edhe për Shqipërinë.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu Berishën se po abuzon me besimin dhe respektin e mbështetësve të PD-së, duke kërkuar që zërat kritikë brenda partisë të flasin hapur për situatën politike dhe të ardhmen e opozitës.









