Kryeministri Edi Rama ka bërë deklarata të forta gjatë Konferencës “Lennart Meri 2026” në Estoni, ku foli për sfidat gjeopolitike të Europës, luftën në Ukrainë dhe rolin e SHBA-së në sigurinë euroatlantike.
Në panelin kushtuar bashkëpunimit transatlantik, Rama u shpreh se agresioni rus dhe presidenti rus Vladimir Putin e detyruan Europën të kuptojë realitetin e kërcënimeve gjeopolitike, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, sipas tij, e ndihmoi Bashkimin Europian të reflektojë mbi dobësitë e veta.
“Na duhej Putini që Europa të zgjohej dhe të kuptonte se kërcënimi gjeopolitik është real. Nga ana tjetër, Trump e ndihmoi Europën të kuptojë që duhet të mbledhë veten”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria ka dëgjuar prej vitesh premtime nga Europa për integrimin, por sipas tij, vetëm pas krizave të fundit gjeopolitike procesi i zgjerimit nisi të trajtohej seriozisht.
Rama ngriti shqetësimin edhe për mënyrën se si Europa po i qaset rritjes së shpenzimeve ushtarake, duke paralajmëruar se një riarmatim pa zhvillim ekonomik, inovacion dhe legjitimitet demokratik mund ta bëjë kontinentin më të armatosur, por njëkohësisht më të dobët.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e forcimit të ekstremit të djathtë dhe etnonacionalizmit në Europë, nëse rritja e shpenzimeve të mbrojtjes shoqërohet me recesion ekonomik, pabarazi sociale dhe krizë besimi ndaj partive tradicionale.
Sipas Ramës, sfida kryesore e Europës nuk është vetëm të shtojë armët dhe ushtritë, por të garantojë që riarmatimi të mos kthehet në një faktor destabilizues për demokracinë europiane.









