Presidenti i Brazilit shkon në Uashington – Lula takohet me Trump mes tensioneve për Iranin

Presidenti i Brazil, Luiz Inácio Lula da Silva, pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditët në vijim për një takim të rëndësishëm me homologun e tij, Donald Trump.

Sipas burimeve nga qeveria braziliane, të cituara nga Reuters, vizita do të zhvillohet këtë javë, ndërsa takimi mes dy liderëve është planifikuar për të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

Lula do të niset nga Brazili të mërkurën dhe pritet të rikthehet në vendin e tij të premten, në një vizitë të shkurtër, por me peshë të madhe politike dhe diplomatike.

Takimi vjen pas një marrëveshjeje paraprake mes dy liderëve gjatë një bisede telefonike në fillim të këtij viti. Fillimisht, vizita ishte planifikuar të zhvillohej në muajin mars, por u shty për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, veçanërisht përshkallëzimit të situatës në Iran.

Presidenti brazilian ka qenë kritik ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-së në rajon, duke e bërë këtë takim edhe më të rëndësishëm në kontekstin e tensioneve ndërkombëtare. Pritet që në fokus të bisedimeve të jenë marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë globale dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Ky takim shihet si një moment kyç për riformatimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për koordinimin e qëndrimeve në një periudhë të ndjeshme për politikën ndërkombëtare.