VIDEO/ Përplasje brenda PD në Korçë për listat e votuesve – Kreka kundër Kasos: Procesi drejt shtyrjes, nuk po biem dakord me drejtuesin politik”

Deputeti i Partisë Demokratike, Fidel Kreka, ka reaguar pas tensioneve dhe problemeve të hasura në procesin e zgjedhjeve për kryetarin e degës së PD në Korçë, i cili është ndërprerë dy herë gjatë ditës së sotme për shkak të mosmarrëveshjeve mbi listat e votuesve.

Sipas Krekës, pengesa kryesore që ka çuar në bllokimin e procesit është mungesa e dakordësisë me drejtuesin politik të qarkut, Ivi Kaso, lidhur me mënyrën e përpilimit dhe pranimit të listave zgjedhore. Ai thekson se një numër i konsiderueshëm demokratësh nuk figurojnë në lista, pavarësisht se janë anëtarë aktivë të partisë dhe të njohur nga strukturat lokale.

Kreka u shpreh se këta anëtarë, përfshirë kryetarë seksionesh dhe grupseksionesh, duhet të lejohen të votojnë, pasi sipas tij identiteti i tyre politik dhe angazhimi në parti është i njohur mirë edhe nga komisionerët.

“Nuk po biem dot dakord me drejtuesin e qarkut dhe ish-kryetarin e PD në Korçë për çështjen e listave, sepse shumë demokratë nuk e kanë emrin në listë. Kryetarë seksionesh, kryetarë grupseksionesh – këta njerëz duhet të votojnë. Thonë duhet kartë anëtarësie, por dikush mund ta ketë humbur. Kjo është situata. Janë pjesë e partisë dhe të njohur nga komisioni. Ende nuk kemi marrëveshje. Mund të shkojmë drejt shtyrjes së procesit,” deklaroi ai.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa sipas Krekës, opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve në degën e Korçës po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.