Paralajmërim i fortë i Trump për Iranin: Sulmi ndaj anijeve amerikane do të marrë përgjigje shkatërruese

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një sërë incidentesh detare dhe deklaratave të forta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, një anije tregtare e Koresë së Jugut është përfshirë në një incident detar në zonë, ndërsa Teherani ka pretenduar se ka goditur një shkatërrues amerikan. Këto pretendime janë mohuar kategorikisht nga Uashingtoni, i cili i ka cilësuar si të pavërteta.

Në të njëjtën kohë, mediat amerikane raportojnë se forcat ushtarake të SHBA-së janë autorizuar të reagojnë ndaj çdo kërcënimi nga motoskafet e Gardës Revolucionare Iraniane, në rast se situata përshkallëzohet.

Në këtë klimë të tensionuar, presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër gjatë një interviste për Fox News, duke deklaruar se çdo sulm ndaj anijeve amerikane do të marrë një përgjigje shkatërruese.

“Irani do të shkatërrohet nëse sulmon anijet amerikane,” u shpreh Trump, duke rritur më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në rajon.

Deklarata vjen në një moment kur SHBA ka theksuar se mban kontroll të plotë operacional mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të energjisë, ndërsa situata mbetet e brishtë dhe nën vëzhgim të ngushtë ndërkombëtar.