Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa blerës ndërkombëtarë kanë nisur të përdorin metoda të fshehta për kalimin e cisternave me naftë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të agjencisë “Reuters”, disa anije po lundrojnë me sistemet e gjurmimit të fikura, në përpjekje për të shmangur rrezikun e sulmeve të mundshme iraniane dhe për të garantuar kalimin e ngarkesave strategjike të naftës së papërpunuar.
Burime të industrisë së transportit detar dhe të dhënave të lundrimit bëjnë me dije se kjo praktikë po përdoret për të nxjerrë nga Gjiri Persik sasi nafte të mbetura në zonë, në një periudhë pasigurie të thelluar gjeopolitike në rajon.
Edhe pse volumi i këtyre dërgesave mbetet më i ulët krahasuar me periudhën para përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, lëvizjet e tilla tregojnë gatishmërinë e prodhuesve dhe tregtarëve të naftës për të marrë rreziqe të larta vetëm për të mbajtur rrjedhën e eksporteve.
Ndërkohë, situata në rajon ka ndikuar edhe tek vendet e tjera prodhuese të Gjirit. Iraku, Kuvajti dhe Katari kanë kufizuar ose pezulluar disa prej eksporteve të tyre, ndërsa Arabia Saudite po përdor kryesisht rrugë alternative detare përmes Detit të Kuq. Kjo ka sjellë edhe ulje çmimesh dhe strategji të reja për të tërhequr blerësit në një treg gjithnjë e më të paqëndrueshëm.









