Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në qendër të diskutimeve ishte situata e sigurisë globale dhe forcimi i rolit të Aleancës Euro-Atlantike përballë sfidave të reja ndërkombëtare.
Përmes një reagimi në platformën X, Hoxha theksoi se NATO mbetet më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik, në një kohë tensionesh dhe konfliktesh në rritje.
Gjatë takimit, palët diskutuan për forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e investimeve në mbrojtje dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Kryediplomati shqiptar nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të rrisë kontributin e saj në kuadër të NATO-s, si përmes modernizimit të Forcave të Armatosura, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes aktive në misionet e Aleancës.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe situata në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësia strategjike e ruajtjes së stabilitetit në rajon. Hasani dhe Rutte riafirmuan mbështetjen për praninë e NATO-s në Kosovë dhe rolin kyç të misionit të KFOR-it në garantimin e paqes dhe sigurisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte organizimi i Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i cili do të jetë samiti i parë i Aleancës që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Sipas Hoxhës, ky event përfaqëson një moment historik për Shqipërinë dhe dëshmon rritjen e peshës së saj brenda strukturave euroatlantike.









