Krimi që tronditi Sarandën/ Identifikohet autori i vrasjes – Dyshohet edhe një i plagosur misterioz

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja me armë zjarri që tronditi mbrëmjen e së mërkurës Sarandë, ku humbi jetën biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili.

Policia bëri të ditur se ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit dhe e ka shpallur atë në kërkim, ndërsa dyshohet se gjatë përplasjes ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Sipas informacionit paraprak të uniformave blu, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në zonën e njohur si “Qafë Gjashtë”, brenda lokalit në pronësi të viktimës.

Hetimet paraprake tregojnë se fillimisht konflikti mes disa personave ka nisur me sende të forta, por më pas situata ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.

Si pasojë e të shtënave, Rexhep Ismaili mbeti i vrarë në vend, ndërsa policia dyshon se një tjetër person është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, por ende nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.

Nga veprimet e para hetimore, autoritetet dyshojnë se shtetasi Lulzim Tabaku. është personi që qëlloi për vdekje 66-vjeçarin, përpara se të largohej nga vendngjarja së bashku me persona të tjerë të përfshirë në konflikt.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie ngritën pika kontrolli dhe nisën kontrolle intensive në zonë për kapjen e autorit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Ndërkohë, po verifikohen spitalet rajonale dhe klinikat private nëse ndonjë person është paraqitur me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të ditëve të fundit në jug të vendit.