Kolumbianët iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në një nga proceset më të tensionuara dhe më të përgjakshme të viteve të fundit. Votimi zhvillohet në një klimë pasigurie të lartë, mes përshkallëzimit të dhunës nga grupet e armatosura dhe një fushate elektorale të shoqëruar me vrasje, sulme dhe incidente të shumta.
Vendi i Amerikës së Jugut po përballet me valën më të rëndë të dhunës që nga marrëveshja historike e paqes e vitit 2016 me organizatën guerile FARC. Vetëm gjatë muajve të fundit, dhjetëra drejtues komunitetesh, civilë, efektivë policie dhe ushtarakë kanë humbur jetën në sulme të ndryshme, ndërsa një kandidat presidencial është vrarë gjatë fushatës, duke tronditur opinionin publik.
Në garë për presidencën janë 14 kandidatë, por sipas sondazheve, tre emra kryesojnë bindshëm. Senatori i majtë Iván Cepeda, përfaqësues i koalicionit qeverisës, konsiderohet favorit. Pas tij renditet avokati konservator Abelardo de la Espriella, i njohur për retorikën e ashpër kundër krimit, ndërsa senatorja Paloma Valencia mban vendin e tretë në sondazhe.
Me shumë gjasa, asnjë kandidat nuk do të arrijë të sigurojë shumicën absolute të votave, çka do ta çonte vendin në një balotazh më 21 qershor.
Debati kryesor i këtyre zgjedhjeve mbetet siguria dhe mënyra se si duhet të trajtohen grupet e armatosura që vazhdojnë të veprojnë në territorin kolumbian. Një pjesë e kandidatëve mbështesin vazhdimin e negociatave të paqes, ndërsa rivalët e tyre kërkojnë goditje të forta ushtarake dhe masa më të ashpra kundër organizatave kriminale.
Megjithëse presidenti aktual, Gustavo Petro, nuk mund të kandidojë për një mandat të dytë për shkak të kufizimeve kushtetuese, figura e tij ka dominuar debatin politik. Mbështetësit e vlerësojnë për reformat sociale dhe uljen e varfërisë, ndërsa kundërshtarët e akuzojnë për dështime në fushën e sigurisë.
Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, autoritetet kanë angazhuar mbi 400 mijë ushtarë dhe policë në të gjithë vendin. Masat e sigurisë janë ndër më të lartat e marra ndonjëherë për një proces zgjedhor në Kolumbi.
Rezultatet paraprake pritet të publikohen disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa vendi pret të mësojë nëse do të ketë fitues që në raundin e parë apo nëse beteja për presidencën do të vendoset në balotazh.









