Kërcasin prangat në Turqi – 29 të arrestuar në hetimin për korrupsion në Bashkinë e Stambollit

Autoritetet në Turqinë kanë ndaluar 29 persona në kuadër të një hetimi për korrupsion të dyshuar që lidhet me një kompani të gjelbërimit në varësi të Bashkisë së Stambollit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu Agency.

Hetimi, sipas autoriteteve, lidhet me një organizatë të dyshuar kriminale të krijuar nën drejtimin e Ekrem İmamoğlu, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar dhe konsiderohet një nga figurat kryesore të opozitës.

Prokuroria e Stambollit thotë se grupi dyshohet për manipulim të procedurave të prokurimit publik dhe ndikim në tenderë. Ndër të arrestuarit raportohet se është edhe një zëvendëssekretar i përgjithshëm i qytetit, ndërsa janë kryer kontrolle edhe në një kompani shërbimesh të lidhur me bashkinë.

Hetimi është shtrirë më tej në struktura dhe zyrtarë të tjerë të lidhur me bashkinë e Stambollit, ndërsa opozita e ka cilësuar operacionin si të motivuar politikisht.

Nga ana tjetër, autoritetet turke i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces të rregullt gjyqësor.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka paralajmëruar më herët për vazhdimin e hetimeve ndaj opozitës në kuadër të luftës kundër korrupsionit.