Irani zbulon kushtet për fundin e luftës: Sanksione, fonde të ngrira dhe tërheqje trupash në tryezë

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka bërë publike një paketë kërkesash që Teherani i paraqet Shteteve të Bashkuara si bazë për një marrëveshje paqeje dhe përfundim të konfliktit, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA.

Sipas propozimit të bërë publik, Irani kërkon heqjen e plotë të sanksioneve ekonomike ndaj vendit, zhbllokimin e fondeve të ngrira jashtë vendit, si dhe ndërprerjen e çdo forme bllokade detare që, sipas Teheranit, kufizon lëvizjen e tij tregtare.

Në paketë përfshihet gjithashtu një rol më i madh ndërmjetësimi ndërkombëtar, ku përmendet Pakistani si ndërmjetës për përshpejtimin e negociatave, në një kohë kur një zyrtar pakistanez ndodhet në vizitë në Teheran.

Teherani kërkon gjithashtu ndalimin e luftimeve në të gjitha frontet e konfliktit, përfshirë edhe rajonin e Libanit, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat pranë Iranit, si dhe kompensim për dëmet e shkaktuara gjatë luftës.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Axios, propozimi i është përcjellë edhe Uashingtonit, ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump pritet të konsultohet me ekipin e sigurisë kombëtare për hapat e ardhshëm, mes sinjaleve të përziera për një marrëveshje të mundshme dhe tensioneve ende të larta në terren.