Koalicioni VLEN ka njoftuar një hap të rëndësishëm politik, duke deklaruar se më 9 maj, në Ditën e Evropës, do të shndërrohet nga një aleancë partish në një subjekt të vetëm politik.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth 850 përfaqësues nga degët do të marrin pjesë në këtë proces, ku do të formalizohet bashkimi i pesë subjekteve në një organizatë të vetme me drejtim dhe mision të përbashkët.
Përfaqësuesit e VLEN theksojnë se ky unifikim synon t’i japë fund fragmentimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe të hapë një fazë të re me qasje të koordinuar dhe përfaqësim më të fuqishëm institucional.
Sipas tyre, përçarja e viteve të fundit është maskuar shpesh si pluralizëm, ndërsa në realitet kanë mbizotëruar interesa individuale. Zgjedhja e 9 majit si datë simbolike lidhet me vlerat e bashkimit europian, të cilat VLEN synon t’i reflektojë në një projekt të përbashkët politik.
Struktura e re pritet të synojë një zë të unifikuar për shqiptarët, megjithëse vetë koalicioni pranon se ky hap mund të hasë kundërshti nga aktorë që kanë përfituar nga ndarjet e deritanishme politike.









