Gërdufje në PD/ Kaso “shpërthen” ndaj Salianjit: I frustruar dhe jashtë partisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i është kundërpërgjigjur ashpër ish-deputetit Ervin Salianji pas deklaratave të këtij të fundit, i cili e akuzoi publikisht dhe e etiketoi si “komunist”, duke përmendur edhe origjinën familjare të tij.

Në një intervistë për emisionin “Përballë Lajmit” në Klan News, Kaso deklaroi se nuk dëshiron t’u japë rëndësi “frustrimeve” të një personi që, sipas tij, tashmë ndodhet zyrtarisht jashtë Partisë Demokratike pas vendimit të Kryesisë.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë politik për zgjedhjet e 11 majit, duke iu referuar vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili nuk e njeh procesin zgjedhor.

Kaso reagoi me tone të forta edhe ndaj sulmeve që lidhen me biografinë familjare, duke deklaruar se “gërmimi në biografitë e paraardhësve” është sjellja më komuniste që mund të ekzistojë.

“Unë nuk merrem me frustrimet e dikujt që është jashtë PD-së dhe ndoshta edhe jashtë politikës. Kush merret me paraardhësit e njerëzve, bën pikërisht atë që ka bërë komunizmi ndër vite”, u shpreh deputeti demokrat.

Përplasja mes dy figurave të PD-së vjen në një moment tensionesh të forta brenda opozitës, ku debatet për drejtimin e partisë dhe rezultatin e zgjedhjeve kanë sjellë akuza të forta mes ish-aleatëve politikë.

Ivi Kaso: Ka një qëndrim politik PD, që nuk është vetëm fjalë, por është edhe dokument i PD. Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të PD, të tetorit të vitit të kaluar, i cili ka një qëndrim me zgjedhjet, që nuk e njeh farsën zgjedhore të 11 majit. Pra nëse partia në organin e saj më të lartë, që është Këshilli Kombëtar shpreh vullnetin e saj për të mbajtur një qëndrim politik ndaj një procesi që nuk e njeh.

Besard Jacaj: Në fundjavë kisha të ftuar Ervin Salianjin, i cili kishte akuza politike për ju, për qarkun e Korçës, duke akuzuar se ju jeni shkaktar i një rezultati katastrofik që PD ka marrë në Korçë. Duke shtuar se ju nuk jeni në partinë e paraardhësve tuaj, çka nënkuptonte që paraardhësit tuaj kanë qenë komunistë.

Ivi Kaso: Unë normalisht nuk do i përgjigjesha frustimeve të dikujt, që është jashtë PD dhe ndoshta jashtë politikë, këtë të fundit nuk e di, por jashtë PD është e sigurt, pasi ka një konfirmim nga kryesia të këtij fakti. Frustimeve të dikujt që e ka me gjithë botën dhe do të bëhet lajm me çdo kusht unë nuk do i përgjigjem. Por një festë do e kisha me këdo që bën akuza për paraardhësit, sepse kjo çështja e rrëmimit në biografi e të tjerëve është gjëja më komuniste që mund të reklamojnë. Kështu të merren me paraardhësit e tyre.