“E kuptuan që rruga drejt BE nuk ndalet” – Rama për opozitën: Pranuan se negociatat nuk janë të bllokuara

Kryeministri Edi Rama ka komentuar votimin e fundit në Kuvend të rezolutës që lidhet me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar si një sinjal pozitiv bashkimin e votave mes mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama u shpreh se ishte i surprizuar nga qëndrimi i opozitës, e cila iu bashkua shumicës parlamentare në miratimin e rezolutës për integrimin evropian të vendit. Sipas tij, ky veprim tregoi se edhe kundërshtarët politikë kanë kuptuar tashmë se procesi i negociatave me Bashkimin Evropian është i pakthyeshëm dhe nuk mund të bllokohet.

Kreu i qeverisë tha se bashkëpunimi politik për çështje madhore kombëtare, si integrimi në BE, është një zhvillim që duhet të ndodhë më shpesh në jetën politike shqiptare.

“Më vjen mirë që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte edhe më mirë që këto bashkime të ndodhnin më shpesh kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Megjithatë, edhe ky moment ka rëndësinë e vet”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se votimi i opozitës në favor të rezolutës përbën një pranim indirekt se pretendimet për bllokim të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian nuk qëndrojnë.

Sipas Ramës, Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugës së saj drejt BE-së dhe shumë shpejt pritet të ketë zhvillime të reja pozitive në procesin e integrimit. Kryeministri paralajmëroi se vendi po afrohet me hapin tjetër të negociatave, që lidhet me avancimin e mëtejshëm dhe nisjen e procesit për mbylljen e kapitujve negociues.

Në fund të deklaratës së tij, Rama theksoi se çdo moment uniteti politik për çështjet kombëtare duhet përshëndetur, duke e konsideruar mbështetjen për integrimin evropian si një interes që shkon përtej ndarjeve partiake.