Digjen 4 betoniere në Fushë Dukat – Dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë natës në Fushë Dukat, ku katër betoniere janë përfshirë nga flakët brenda një pike prodhimi betoni në pronësi të shtetasit Blerti Mehillaj.

Sipas të dhënave paraprake, automjetet e tonazhit të rëndë kanë qenë të parkuara në ambientet e subjektit kur ka rënë zjarri, ndërsa hetuesit dyshojnë për një akt të qëllimshëm zjarrvënieje.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se një person ende i paidentifikuar dyshohet të ketë hyrë në territorin e kompanisë, të ketë hedhur lëndë djegëse mbi mjetet dhe më pas t’u ketë vënë flakën.

Forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse ndërhynë menjëherë në vendngjarje për neutralizimin e flakëve dhe sigurimin e zonës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.