ALARM NË UASHINGTON!” – Të shtëna me armë, përfshihet Shërbimi Sekret, një person i plagosur

Një incident i rëndë me armë zjarri është regjistruar në Uashington, ku është përfshirë edhe Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara.

Sipas njoftimeve zyrtare, një oficer i Shërbimit Sekret ka qëlluar me armë një person gjatë një ndërhyrjeje në zonën e Rrugës së 15-të dhe Avenue Independence. Si pasojë e të shtënave, një individ ka mbetur i plagosur, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

Në një deklaratë për rrjetin social X, Shërbimi Sekret konfirmoi praninë në vendngjarje dhe përfshirjen e një efektivi në incident, duke theksuar se situata është ende në zhvillim dhe nën hetim.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e ngjarjes apo arsyet që çuan në përdorimin e armës nga ana e oficerit. Zona është izoluar përkohësisht, ndërsa hetuesit po punojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e incidentit.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në kryeqytetin amerikan, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion nga autoritetet përkatëse.