Një incident i rëndë është shënuar në Akademia e Sigurisë, ku rreth 40 studentë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore menjëherë pasi kanë konsumuar drekën, ndërsa disa prej tyre janë ndjerë në gjendje më të rënduar dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime pranë institucionit bëjnë me dije se të rinjtë kanë shfaqur simptoma të forta shqetësimi, çka ka ngritur dyshime të forta për helmim ushqimor. Dyshohet se problemi ka ardhur nga ushqimi i servirur gjatë vaktit të drekës.
Shërbimi ushqimor në Akademinë e Sigurisë ofrohet nga një kompani private kateringu, e cila furnizon studentët me tre vakte në ditë. Pas incidentit, autoritetet kanë nisur verifikimet për kushtet e përgatitjes dhe shpërndarjes së ushqimit.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse dhe grupet hetimore kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësit eventualë. Ende nuk ka një reagim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të studentëve të shtruar në spital.









