Një zhvillim i papritur është shënuar në procesin gjyqësor për dosjen e “Sterilizimit”, ku GJKKO ka vendosur që ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të mos qëndrojë në kafazin e sigurisë gjatë seancave.
Gjykata arsyetoi vendimin me numrin e ulët të pjesëmarrësve në sallë, praninë e një të pandehuri dhe sjelljen e tij, si edhe faktin që ndaj Beqajt nuk është caktuar masë “arrest me burg”. Për rrjedhojë, ai do të qëndrojë pranë avokatëve të tij gjatë zhvillimit të seancës.
Po ashtu, trupi gjykues urdhëroi njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Seanca u shty për një datë të mëvonshme, në orën 09:00, me qëllim që Beqaj të jetë i pranishëm dhe të vijojë ndjekjen e procesit pranë mbrojtjes së tij, ku pritet edhe paraqitja e kërkesave të tjera nga palët.









