Tuneli i Llogarasë një projekt nën hetim nga SPAK – Brenda prillit nis tarifimi për përdoruesit e këtij aksi rrugor

Kalimi në Tuneli i Llogarasë pritet të mos jetë më falas, pasi brenda këtij muaji do të nisë zbatimi i tarifave për të gjithë përdoruesit e këtij aksi rrugor.

Sipas planit të miratuar, drejtuesit e autoveturave do të paguajnë 250 lekë për një drejtim dhe 500 lekë për vajtje-ardhje. Tarifat ndryshojnë sipas kategorive të mjeteve: motoçikletat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë pagesa mund të arrijë deri në 5000 lekë. Për furgonët dhe autobusët është parashikuar një tarifë prej 1000 lekësh, ndërsa mjetet me karroceri do të paguajnë 500 lekë. Nga pagesa do të përjashtohen automjetet e emergjencës, policisë, ushtrisë, zjarrfikëses dhe personat me aftësi të kufizuar.

Aktualisht, në terren po kryhen testimet e fundit të sistemit të pagesave, përfshirë kamerat e sigurisë dhe pajisjet elektronike që do të mundësojnë funksionimin e skemës së re.

Menaxhimi i këtij sistemi do të bëhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, ndërsa tuneli, i hapur në maj 2025, ka funksionuar deri tani pa tarifë.

Vendosja e pagesave vjen në një kohë kur projekti është nën hetim nga SPAK. Në kuadër të këtij hetimi janë marrë të pandehur disa ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe ish-drejtues të institucioneve rrugore.

Akuzat lidhen me dyshime për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura publike gjatë ndërtimit të tunelit, një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro.