Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka reaguar ashpër pas sulmit vdekjeprurës ndaj trupave paqeruajtëse të OKB në Liban, duke e cilësuar atë një “krim lufte” dhe një goditje të rëndë ndaj rendit ndërkombëtar.
Në një deklaratë për mediat franceze, Barrot theksoi se sulmi ndaj forcave të Kombeve të Bashkuara në Liban, të njohura si “helmetat blu”, është një akt i papranueshëm. Sipas tij, këta ushtarë janë të identifikueshëm qartë si forca paqeruajtëse dhe veprojnë me mandat të drejtpërdrejtë nga komuniteti ndërkombëtar.
Ngjarja tragjike ndodhi në jug të Libanit, ku trupat e UNIFIL-it u vunë nën zjarr gjatë një operacioni për pastrimin e mjeteve shpërthyese nga një rrugë strategjike. Si pasojë e sulmit, dy ushtarë francezë humbën jetën, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas vlerësimeve paraprake të UNIFIL-it dhe informacioneve nga ushtria e Israel, përgjegjës për sulmin dyshohet të jenë militantë të Hezbollah. Megjithatë, kjo organizatë ka mohuar çdo përfshirje në incident.
Ndërkohë, autoritetet në Liban kanë premtuar një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten përpara raundit të dytë të bisedimeve mes palëve.
Forcat e UNIFIL-it, të vendosura në zonën kufitare mes Libanit dhe Izraelit që prej vitit 1978, kanë qenë shpesh në vijën e zjarrit, me viktima të përsëritura gjatë misionit të tyre për ruajtjen e paqes.









