TELEFONATA/ Rusia dhe Irani negociata për amëpushimin – Lavrov dhe Araghchi në fokus siguria në Hormuz

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit në rajon, ruajtja e armëpushimit dhe siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme ruse, Lavrov theksoi rëndësinë e vijimit të përpjekjeve diplomatike për të garantuar stabilitetin dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Nga ana tjetër, ministri iranian konfirmoi gatishmërinë e Teheranit për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar kalimin e pandërprerë dhe të sigurt të anijeve, përfshirë edhe ato ruse, përmes kësaj rruge strategjike detare.

Biseda vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin e Lindjes së Mesme, ku tensionet dhe incidentet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit energjetik dhe tregtisë ndërkombëtare.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme për qarkullimin global të naftës dhe gazit, duke e bërë çdo zhvillim në këtë zonë me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore.