Sherr fatal në Vlorë – Humb jetën 63 vjeçari – plagoset lehtë i biri

Një konflikt mes disa personave ka përfunduar tragjikisht në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, pranë rrugës “Çipaj”. Si pasojë e përplasjes, 63-vjeçari Ismail Aliaj ka ndërruar jetë, ndërsa djali i tij ka mbetur i plagosur lehtë.

Viktima u dërgua me urgjencë në Spitalin e Vlorës, por goditjet në fytyrë dhe në grykë rezultuan fatale. Djali i tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën, sipas mjekëve.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.