Real Madrid ka zbuluar listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën ndaj Mallorca, me një lajm pozitiv që vjen nga reparti i mbrojtjes: rikthimi i Éder Militão.
Mbrojtësi brazilian është rikuperuar nga dëmtimi muskulor që pësoi në muajin dhjetor dhe tashmë është sërish në dispozicion të trajnerit. Edhe pse nuk pritet të jetë titullar, prania e tij konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për skuadrën në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Një tjetër lajm i mirë për “Los Blancos” është rikthimi në listë i Raúl Asencio, çka i jep trajnerit më shumë alternativa në repartin defensiv. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, mbrojtja është pothuajse e plotë, me përjashtim të Ferland Mendy, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar.
Nga ana tjetër, nuk mungojnë problemet për madrilenët. Federico Valverde nuk do të jetë i disponueshëm për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq në ndeshjen e fundit. Gjithashtu, jashtë listës mbeten edhe Rodrygo dhe Thibaut Courtois, të cilët vijojnë rikuperimin nga dëmtimet.
Ndërkohë, Dani Ceballos është rikthyer në stërvitje me grupin, por nuk është përfshirë në listë, pasi ende nuk konsiderohet plotësisht gati për ritmin e ndeshjes.









