Momentet më të nxehta u panë gjatë El Clasico kundër Barcelonës, kur trajneri vendosi ta nxirrte nga loja Viníciusin. Reagimi i brazilianit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, duke shprehur hapur pakënaqësinë teksa linte fushën, në një skenë që u përhap me shpejtësi në rrjet.
Megjithatë, sipas gazetarit Paco González, tensionet kishin nisur më herët, gjatë FIFA Club World Cup. Në prag të finales, Alonso kishte testuar një formacion ku Viníciusi nuk parashikohej titullar, një vendim që nuk u prit mirë nga lojtari.
Ideja e trajnerit ishte që repartin ofensiv ta niste me Kylian Mbappé dhe Gonzalo García, duke e lënë përkohësisht brazilianin jashtë njëmbëdhjetëshit. Edhe pse në fund ai u përfshi në formacionin startues, situata duket se kishte lënë gjurmë dhe ndikoi në shpërthimin e mëvonshëm.
E gjithë ngjarja pasqyron një raport të tensionuar mes trajnerit dhe një prej yjeve kryesorë të skuadrës, ku vendimet teknike dhe ambiciet individuale janë përplasur hapur.









