Elisa Spiropali ka reaguar pas zhvillimeve politike në Hungary, duke e cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si një sinjal të rëndësishëm jo vetëm për vendin, por për gjithë Europën.
Sipas saj, ndryshimi politik në Hungari nuk përfaqëson vetëm rotacion qeveritar, por një tregues të thellë mbi funksionimin e demokracisë brenda European Union.
Spiropali thekson se modeli politik i kryeministrit në largim Viktor Orban ka sfiduar për vite të tëra parimet bazë të BE-së, ku demokracia nuk matet vetëm me votë, por edhe me kufizimin e pushtetit dhe respektimin e institucioneve.
Duke përshëndetur fitoren e opozitës së drejtuar nga Peter Magyar, ajo shton se ngjitja e tij e shpejtë në skenën politike tregon se ndryshimi është i mundur edhe në sisteme të konsoliduara.
Në përfundim, Spiropali thekson se Hungaria është një “provë për Europën”, duke nënvizuar se forca e vërtetë e kontinentit matet nga sa mirë funksionojnë kufizimet e pushtetit dhe jo nga zgjerimi i tij.
Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:
“Hungaria dhe prova e Europës
Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.
Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.
Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.
Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.
Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.
Kjo është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë: Europa nuk është një gjendje e përhershme. Është një proces i vazhdueshëm për të mbajtur, mbrojtur dhe forcuar demokracinë funksionale.
Në këtë kuptim, Hungaria nuk është vetëm Hungari. Është një provë për të gjithë ne.
Sepse Europa nuk matet nga sa larg shkon pushteti, por nga sa fort funksionojnë kufijtë e tij”.










