“Nuk jam skllav i askujt” – Ervin Salianji i përgjigjet Sali Berishës: Dil fol për Ermal Beqirin dhe lejet familjare

Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e kishte akuzuar për afrim me mazhorancën dhe përfshirje në skenarë politikë që, sipas tij, dëmtojnë opozitën.

Në reagimin e tij publik, Salianji e ka ironizuar Berishën duke e quajtur “Sali kolltuku”, duke e akuzuar për mentalitet autoritar dhe për pretendimin se të gjithë duhet t’i nënshtrohen atij politikisht.

Ai ka mohuar çdo afrim me figura të mazhorancës, përfshirë edhe insinuatat për lidhje me Taulant Balla, duke theksuar se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve politike dhe marrëveshjeve të fshehta.

Salianji ka shtuar se ka qenë gjithmonë në përballje me pushtetin dhe jo në shërbim të tij, duke thënë se ka paguar edhe kosto personale për qëndrimet e tij politike.

Duke iu përgjigjur akuzave për “fat politik”, ai ka deklaruar se Berisha duhet të reflektojë mbi, siç u shpreh, mungesën e mbështetjes dhe dështimet politike, duke shtuar se lidershipi aktual nuk po frymëzon më.

Më tej, Salianji e ka sfiduar Berishën të flasë publikisht për biznesmenin Ermal Beqiri, si dhe për çështje që lidhen me leje ndërtimi për familjarët e tij në zona të ndryshme të vendit.

Në fund të reagimit, ai ka deklaruar se përplasja politike me drejtimin aktual të opozitës do të vazhdojë dhe se, sipas tij, qytetarët e refuzojnë këtë model politik.

Reagimi i plote:

Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.

Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.

Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.

Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.

Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.

Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.

Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.

Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.

Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.

Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.