Britania e Madhe ka paralajmëruar se mund të vendosë sanksione ndaj Iranit nëse vijon bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë dhe transportin global të energjisë.
Deklarata është bërë nga ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, e cila akuzoi Teheranin se po ushtron presion mbi ekonominë botërore përmes kontrollit të kësaj rruge strategjike detare.
Sipas saj, rreth 40 vende që morën pjesë në një telekonferencë të organizuar nga Londra kërkuan hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirisë së lundrimit dhe të së drejtës ndërkombëtare detare.
“Irani po përpiqet të mbajë peng ekonominë globale në Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk duhet të lejohet”, u shpreh Cooper, duke shtuar se partnerët ndërkombëtarë janë të gatshëm të ndërmarrin masa të mëtejshme nëse situata nuk ndryshon.
Ajo theksoi se në tryezë janë diskutuar edhe masa shtesë presioni ndaj Iranit, përfshirë sanksione ekonomike dhe politike.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa bllokimi i kësaj arterie jetike për tregtinë globale rrezikon të ketë pasoja serioze për furnizimin me energji dhe stabilitetin ekonomik në shkallë botërore.









