Netanyahu shërohet nga kanceri – Diagnoza u mbajt e fshehtë gjatë luftës me Iranin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shpallur i shëruar pas një trajtimi të suksesshëm për një formë shumë të hershme të kancerit të prostatës, sipas një raporti zyrtar mjekësor të publikuar nga zyra e tij.

Dokumenti mjekësor i datës 20 prill 2026 bën të ditur se Netanyahu, 76 vjeç, iu nënshtrua fillimisht një ndërhyrjeje kirurgjikale në fund të vitit 2024 për trajtimin e një problemi beninj të prostatës. Gjatë kontrolleve pas operacionit, mjekët zbuluan një lezion shumë të vogël të dyshimtë, i cili më pas u konfirmua si kancer në fazë shumë të hershme, pa përhapje në organe të tjera.

Sipas raportit, trajtimi me radioterapi ka rezultuar plotësisht i suksesshëm dhe ekzaminimet e mëvonshme nuk kanë treguar më shenja të sëmundjes.

Vetë Netanyahu ka deklaruar se publikimi i informacionit është shtyrë për rreth dy muaj për shkak të situatës së luftës me Iranin, duke argumentuar se nuk dëshironte që çështja shëndetësore të përdorej për qëllime politike apo propagandistike gjatë konfliktit.

Mjekët që e trajtuan kanë konfirmuar se sëmundja është zbuluar në fazë shumë të hershme dhe ndërhyrja ka qenë efektive, duke e konsideruar tashmë kryeministrin pa shenja aktive të kancerit.