Edhe pse publikisht u deklarua dështimi i bisedimeve për armëpushim, zhvillimet e fundit sugjerojnë se dialogu mes Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të mos ketë përfunduar plotësisht.
Sipas raportimeve të BBC, kontaktet mes dy palëve kanë vijuar në mënyrë indirekte, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, edhe pas përfundimit zyrtar të raundit të bisedimeve në Islamabad.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kishte deklaruar më herët se Uashingtoni kishte paraqitur ofertën e tij “më të mirë dhe përfundimtare”, ndërsa konfirmoi edhe largimin e delegacionit amerikan nga Pakistani. Megjithatë, burime mediatike lënë të kuptohet se kanalet e komunikimit nuk janë mbyllur dhe se po zhvillohen përpjekje të tjera diplomatike larg vëmendjes publike.
Nga ana e tij, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane ka theksuar se nuk ishte realiste të pritej një marrëveshje brenda një dite të vetme negociatash, duke nënvizuar kompleksitetin e çështjeve që diskutohen, përfshirë sigurinë rajonale, programin bërthamor dhe heqjen e sanksioneve.
Në këtë kontekst, analistët vlerësojnë se situata mbetet shumë e ndërlikuar, ku deklaratat publike shpesh përdoren për konsum të brendshëm politik, ndërsa negociatat reale mund të vazhdojnë në prapaskenë.
E ardhmja e një armëpushimi të mundshëm mbetet e pasigurt, por fakti që komunikimi nuk është ndërprerë plotësisht jep një sinjal se rruga diplomatike ende nuk është mbyllur.









