Krim tronditës në SHBA – vritet brutalisht 43 vjeçarja një ditë pasi kërkoi divorcin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Herriman, pranë Salt Lake City, ku një grua 43-vjeçare me origjinë nga Venezuela është gjetur e pajetë në banesën e saj, në një rast që autoritetet po e hetojnë si vrasje e ndjekur nga vetëvrasje.

Viktima, e identifikuar si Linda Paola Zerpa Lara, u gjet e vdekur së bashku me një burrë 55-vjeçar. Sipas policisë, ajo kishte pësuar goditje fatale me një objekt të fortë, ndërsa burri dyshohet se i dha fund jetës së tij në vendngjarje.

Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pasi gruaja kishte paraqitur kërkesë për divorc. Familjarët kishin kërkuar ndërhyrjen e policisë pasi nuk kishin mundur të kontaktonin me të për disa orë, çka çoi në zbulimin e tragjedisë.

Sipas të afërmve, 43-vjeçarja kishte planifikuar të takohej me bashkëshortin e saj të ndarë, me të cilin kishte një fëmijë 10-vjeçar, i cili nuk ndodhej në banesë në momentin e krimit.

Ajo kishte emigruar në SHBA rreth tetë vite më parë dhe kishte ndërtuar jetën e saj si sipërmarrëse, duke hapur një biznes në fushën e estetikës, si dhe duke u angazhuar në komunitet me një organizatë mbështetëse për pacientët me kancer.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa rasti ka rikthyer vëmendjen te dhuna në familje dhe nevoja për ndërhyrje të hershme në situata të tilla.