Kremlini kundër planit të Trump: Bllokada e porteve iraniane rrezikon tregjet globale

Kremlini ka reaguar kritikisht ndaj planit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një bllokade ndaj porteve të Iran.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se masa të tilla mund të kenë pasoja negative për ekonominë globale, duke theksuar se tregjet ndërkombëtare pritet të ndikohen ndjeshëm nga përshkallëzimi i situatës.

Megjithatë, ai shtoi se ende ka paqartësi mbi detajet konkrete të planit dhe për këtë arsye Moska po tregohet e rezervuar në komentet e saj.

I pyetur për çështjen e programit bërthamor iranian, Peskov konfirmoi se Rusia kishte propozuar të merrte uraniumin iranian si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, por kjo ofertë nuk është pranuar. Ai nënvizoi se Rusia mbetet e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë, sipas raportimeve të medias ndërkombëtare, Moska dyshohet se ka ofruar mbështetje për Teheranin me informacione dhe ekspertizë ushtarake, në një kohë kur tensionet në rajon janë në rritje.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka ofruar rolin e ndërmjetësit në konflikt, përmes kontakteve me liderë të vendeve të Gjirit, në përpjekje për të ulur tensionet.